Alban Bruçi, një 25 vjeçar nga Shkodra i shpëtoi një atentati të ndodhur në orët e mbrëmjes të 25 gushtit, rreth orës 21:30. Ngjarja ndodhi në lagjen “Partizani” në Shkodër. 25 vjeçari është qëlluar me 19 plumba teksa ndodhej brenda automjetit të tij por asnjë prej plumbave nuk e ka kapur duke mos u plagosur. Menjëherë pas ngjarjes Alban Bruçi ka lënë automjetin e mbushur me plumba dhe ka shkuar në policinë e Shkodrës duke kallëzuar për ngjarjen e ndodhur.

Menjëherë në zonën e Rusit ku u qëllua në drejtim të 25 vjeçarit mbërritën forca të shumta policie duke bërë rrethimin e zonës dhe duke nisur hetimet. Sipas burimeve nga vendngjarja Alban Bruçi ka qenë në ecje e sipër me automjetin tip “Audi” kur papritur dy persona me motorçikletë janë afruar dhe kanë qëlluar në drejtim të tij në ecje e sipër me 19 plumba.

Bruçi ka deklaruar në polici se ai nuk e ka idenë se kush e ka qëlluar dhe se nuk ka konflikte me persona të tjerë ndërsa atentati ndodhi pak metra larg banesës së tij. “Nuk e kam idenë se kush mund të jenë autorët e kësaj ngjarje. Kam qenë duke shkuar në shtëpi kur dy persona me motorçikletë u afruan dhe qëlluan ndaj meje. Në atë moment u mundova që të shpëtoj dhe eca pak metra me makinë. Pasi u larguan nuk kisha marrë asnjë plumb dhe menjëherë erdha në polici për të treguar ngjarjen. Nuk kam konflikte me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund ta ketë bërë”, mësohet të ketë thënë Bruçi.

Policia e Shkodrës mendon se 25 vjeçari është qëlluar me armë zjarri pistoletë tip Scorpions e cila dyshohet se ka qenë me silenciator pasi nuk janë dëgjuar të shtënat në zonën ku ndodhi atentati. Disa prej plumbave kanë përfunduar në xhamin e automjetit dhe në derën e makinës por objektivi i këtij atentati ka arritur që të shpëtojë pa u plagosur. Automjeti i tij edhe pasi është qëlluar ka ecur disa metra deri në momentin që është ndalur dhe atentatorët janë larguar dhe më pas 25 vjeçari Bruçi ka dalë nga makina duke u larguar me shpejtësi dhe duke bërë denoncimin në polici. Efektivët dhe prokuroria vijojnë punën për sqarimin e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të kësaj ngjarje si dhe për identifimin dhe kapjen e autorëve.

Deri më tani policia nuk ka arritur që të identifikojë autorët ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë të subjekteve aty afër për të mësuar dinamikën e ngjarjes dhe për të arritur në identifikimin e autorëve. Sipas dyshimeve të policisë autorët nuk janë profesionistë siç ka ndodhur në disa atentate të tjera me të plagosur apo edhe viktima. Shtetasi Alban Bruçi në vitin 2016 ka plagosur një person afër teatrit “Migjeni” dhe asokohe është arrestuar si i dyshuar për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”. Policia dyshon se atentati ka ardhur për shkak të disa konflikteve që mund të ketë patur ky shtetas kohët e fundit edhe pse e mohon një gjë të tillë. Policia vijon hetimet për ta zbardhur të plotë ngjarjen.

Artikulli paraprakKRYEMINISTRI LUKSEMBURGUT VIZITË ZYRTARE NË TIRANË, PRITET ME CEREMONI SHTETËRORE NGA RAMA
Artikulli tjetërINCIDENTI ME RUSËT NË GRAMSH, RAMA: S’U CENUA SIGURIA KOMBËTARE, OBJEKTE TË DEKLASIFIKUARA