Ish drejtori i policisë së shtetit Bajram Ibraj ndër të paktat herë ka dhënë përgjigje për ngjarjen tragjike të 9 janarit 2004 ku humbën jetën 21 persona ndërsa 7 të tjerë janë ende të zhdukur. Për çdo vit familjarët e viktimave akuzojnë ndër të tjerë edhe ish-drejtorin e policisë Bajram Ibraj për implikim në atë ngjarje dhe fshehjen e të vërtetës.

Ish drejtori Ibraj shprehet se policia asokohe ka qenë në angazhimin maksimal ndërsa vetë Ibraj ka dhënë shpjegimet e tij në Komisionin Parlamentar të ngritur në atë kohë.

Ndryshe nga sa pretendojnë familjarët e viktimave Ibraj thotë se policia e shtetit nuk kishte gisht në tragjedinë e 9-janarit.

Akuzat ndaj tij, ish drejtori Ibraj për ngjarjen e rëndë të 9-janarit i quan politike dhe mediatike pasi hedh poshtë çdo pretendim për përfshirje në atë tragjedi.

Një grup djemsh dhe vajzash kryesisht nga Shkodra në 9 janar të vitit 2004 u nisën nga Vlora drejt Italisë me gomone por ky udhëtim për një jetë më të mirë u kthye në një tragjedi pasi 21 vetë humbën jetën dhe 7 të tjerë janë ende të zhdukur, ngjarje e cila ende sot nuk është zbardhur e plotë.