Policia e Vlorës identifikon dhe shpall në kërkim dy të rinj në Orikum, të dyshuar si autorë të plagosjes me armë zjarri së 23 vjeçarit D.B, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së martës, 12 dhjetor 2017.

Nga veprimet hetimore të kryera prej Policisë ka rezultuar se në hyrje të qytetit të Orikumit, “shtetasit G.Ç., 23 vjeç, dhe G.B., 33 vjeç, për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri drejtim shtetasit D.B., duke e lënë të plagosur, jashtë rrezikut për jetën”. Pas ngjarjes, autorët janë larguar me mjetin tip Volkswagen, i cili u gjet i braktisur në vendin e quajtur ”Çipaj” në aksin rrugor Orikum-Llogara. Gjithashtu në vijim të veprimeve hetimore, është arrestuar shtetasi Geraldo Hasanaj 20 vjeç, banues në Orikum. Policia thotë se 20 vjeçari ka lidhje shoqërore me të plagosurin dhe ka qenë i pranishëm në vendngjarje. Por arrestimi i tij ka lidhje me faktin se gjatë kontrollit të mjetit të tij tip ”Ford Fiesta” i është gjetur një sasi 514 gr lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy automjete, një mjet Volkswagen i përdorur prej autorëve dhe mjeti tip Ford Fiesta e shtetasit të arrestuar, lëndën narkotike, një aparat celular si edhe gëzhoja e kalibrit 7.62 mm e gjetur në vendngjarje. Nga ana e bluve po punohet intensivisht për kapjen e autorëve të plagosjes ndërsa materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme proceduriale.