11 nga të plagosurit janë të shtruar në repartin e trajtimit intensiv.

Ministria e Punëve të Brendshme të Turqisë ka  deklaruar se autorja e sulmit terrorist me autobombë në lëvizje kundër qytetarëve që prisnin në stacionin e autobusit në Bulevardin “Ataturku” në Ankara është shtetasja me emrin Seher Çağla Demir, e lindur në 1992 dhe e regjistruar në qytezën Kağızhan të prefekturës Kars. Në deklaratën e publikuar në ueb-faqen e kësaj ministrie thuhet se vazhdon me intensitet të lartë puna për zbardhjen e ngjarjes së sulmit terrorist të ndodhur në Bulevardin “Ataturku” në kryeqytetin e Turqisë. Duke dhënë detaje mbi punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje në deklaratë thuhet: “Që prej vitit 2013-të ajo ishte pjesë e organizatës terroriste separatiste PKK. Më pas ajo ka kaluar në Siri pranë organizatës terroriste YPG, ku ka kryer edhe trajnime të ndryshme për sulme. Puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes është duke vazhduar”. Në deklaratë shprehen ngushëllimet për familjet e personave që humbën jetën në këtë sulm terrorist. Në 11 spitale të ndryshme të Ankarasë vazhdon kurimi i 35 të plagosurve në sulmin e pabesë terroristë që tronditi kryeqytetin turk të dielën në mbrëmje. . Ndërkohë ka përfunduar identifikimi i viktimave të sulmit terrorist me autobombë. Familjarëve u janë dorëzuar 35 kufoma që ruheshin në spitalin e Mjekësisë Ligjore. Ndërsa veprimet e varrimit të personave që humbën jetën në këtë sulm të pabesë vazhdojnë edhe sot. Në mesin e viktimave që gjetën vdekjen në vendngjarje bëjnë pjesë edhe dy terroristët që realizuan sulmin kamikaz. Punimet në lidhje me analizat e ADN-së mbi kufomat e terroristëve vazhdojnë ende. Vazhdon me ritme të shpejta edhe procesi hetimor për zbardhjen e ngjarjes. Për hetimin e rastit janë ngarkuar me detyrë 12 prokurorë. 11 personat e ndaluar deri më tani si të dyshuar vazhdojnë të merren në pyetje në Policinë e Ankarasë. Në qendrën e kryeqytetit turk, Kizilay, aty ku ndodhi edhe sulmi, jeta i është kthyer normalitetit. Gjatë natës pjesa ku ndodhi shpërthimi mbi Bulevardin e Ataturkut u asfaltua dhe është hapur për qarkullimin e makinave. Banorët e Ankarasë vizitojnë vendin e ngjarjes dhe vendosin karafila.

/ Star Plus TV /