Instituti I Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka ngritur alarmin për përmbytje të qytetit të Shkodrës dhe zonave ku kalojnë lumenjtë Drin dhe Buna. Sipas IGJEUM reshjet gjatë kësaj jave do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, por edhe lumenjve të tjerë në të gjithë vendin.

Ja çfarë shkruhet në faqen e IGJEUM në “Faceook”: Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë datave 6 – 11 Janar 2021 priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Përmbytje mund të shkaktohen nga lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës me prurjet maksimale të cilat parashikohen të arrijnë zonat e rrezikuara në datën 12 Janar 2021. Lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen dhe Shkumbin do i arrijnë prurjet maksimale në fundin e datës 8 dhe 9 Janar 2021. Lumenjtë Seman dhe Vjosa parashikohen të rrezikshëm por me probleme më të vogla lokale të përmbytjeve.

Shkalla e rrezikut nga përmbytjet lumore do varet edhe nga sasia e shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave. Përmbytje urbane dhe rrëshqitje të dherave mund të ndodhin gjithashtu në pothuajse të gjitha qarqet. Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve më të fundit hidrologjike dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve.

Ndërkohë që sa I takon parashikimit të motit duke filluar nga kjo e martë pasdite priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë. Në qarqet e tjerë priten reshje intensive, ndërsa në qarqet Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër deri lokalisht shumë intensive. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata.