Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta i është përgjigjur me të njejtën monedhë akuzave dhe sulmeve nga ish-kryeministri Fatos Nano, i cili pak ditë më parë në një intervistë u shpreh se “Nuk ka politikan tek i cili unë shoh 7 mëkatet kapitale të Biblës, është Presidenti i sotëm”.

Ndërkohë që Meta sot u shpreh se Nano sa herë kollitej Sali Berisha largohej nga Tirana. Ai e cilësoi Nanon si kryeministrin që shkonte në kazino e buzuqe kur ndodhnin fatkeqësi kombëtare.

“Një frekuentues kazinosh edhe kur kishte postet më të larta shtetërore, sigurisht që nuk i shkon përshtat Biblës. Unë nuk dua të kem asnjë gjykim, sese ata që kanë sajuar atë intervistë atë duan, që të harxhojnë një kohë të kotë.

Dhe njëherë në këtë drejtim me atë person kur ishte në kulmin e pushtetit, përballja ime ka qenë shumë e qartë, ballore, parimore dhe mua koha më ka dhënë të drejtë. Atyre socialistëve dua tu them që Ilir Meta kur ka qenë në krye të detyrës, kur institucionet janë sulmuar me armë dhe bomba, nuk ia ka mbathur ferrave në Maqëdoni siç bënte ky zotëria, ku me një të kollitur të doktorit ia mbathte.

Ilir Meta ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ta kthyer Nanon nga një i burgosur ordiner siç e bëri Berisha, në një të burgosur politik. Ky njeri ka probleme me karakterin. Unë kam edhe një konflikt interesi se unë jam President kurse ai mbetet kandidat për president të përjetshëm. Ai mbetet një karakter ordiner, për fat të keq.

Çështjen e dënimit të tij ishte për ta luftuar opozitën e atëhershme, nuk ishte për të luftuar korrupsionin. U dënua sepse Partia Socialiste në vitin 1992 fitoi zgjedhjet vendore. Ishte një formë presioni. Presioni i asaj kohe dihet, kishte edhe këtë problem. Këtu pastaj kemi të bëjmë me çështje karakteri dhe kemi të bëjmë me një ndarje shoqërore. Burgosja ishte poltike, edhe pse ai ka karrakter ordiner.

Tani Ilir Meta është i pangopur kurse Edi Rama që ka gjithë pushtetet që nuk i ka pasur as Enver Hoxha, as Ramiz Alia, për këtë nuk ka asnjë problem, çfarë ti themi këtij. Nëse nesër Ilir Meta do të jetë kryeministër, ky njeri sigurisht që do afrojë shërbimin e tij.”