Një akt trimërie dhe humanizmi u shënua pasditen e djeshme në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës” në Fier, ku një aksident i rëndë mund të kishte përfunduar në tragjedi pa ndërhyrjen e shpejtë të një polici të qarkullimit.
26-vjeçari Klajdi Mustaj, prej 18 muajsh pjesë e Policisë së Fierit dhe vetëm 2 muaj në shërbimin e qarkullimit rrugor, ishte rastësisht pranë vendit të ngjarjes.
Një automjet kishte humbur kontrollin, ishte përmbysur dhe kishte mbetur i bllokuar në anë të rrugës, me katër persona të plagosur brenda. Situata u bë edhe më e rrezikshme kur nga mjeti filloi të dilte tym i dendur, duke rrezikuar shpërthim. Pa menduar dy herë, Klajdi u hodh në veprim. Ai nxitoi drejt automjetit, i ndihmoi të plagosurit të dilnin, dhe kur pa se koha ishte e pakët, mori në krahë një prej tyre dhe e largoi në një zonë të sigurt. Gjatë ndërhyrjes, edhe vetë pësoi lëndime në këmbë, por nuk u ndal deri sa të gjithë shpëtuan nga rreziku.

Ndërkohë, pas këtij akti Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka vlerësuar veprimin e policit Klajdi Mustaj, që shpëtoi 4 persona në një aksident rrugor në Qafën e Koshovicës në Fier mbrëmjen e së premtes.
Për guximin e treguar, Ilir Proda i akordoi policit Klajdi Mustaj Certifikatën për Shërbime të Dalluara!
Inspektor Klajdi Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit prej shkurtit 2024, kur përfundoi Kolegjin Profesional për Patrullë të Përgjithshme. Ai ka përfunduar studimet për Shkencat Juridike (Bachelor) dhe aktualisht vazhdon studimet për Master.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakINSTAT: NJË NË DY SHQIPTARË KA MAKINË
Artikulli tjetërRIKTHEHET NDRIÇIMI NË MEMORIALIN E SKËNDERBEUT