Sezoni turistik është në pikun e tij në Shkodër. Prej disa javësh, është shtuar ndjeshën numri i turistëve shqipfolës nga të gjitha viset por edhe ata të huaj. Pjesët më të frekuentuara të qytetit, vazhdojnë të jenë pedonalet e tij, ku janë përqendruar më së shumti edhe aktivitetet tregtare në shërbim të turistëve. Pedonalja “Kolë Idromeno”, prej disa ditëve prezanton një imazh aspak të denjë për Shkodrën në sytë e turistëve.

Në afërsi të një lokali mjaft të frekuentuar pasditeve, kanë nisur të mblidhen qenë endacakë, të cilët veç të tjerave, janë rrezik për të gjithë kalimtarët. Qentë në jo pak raste, kanë sulmuar edhe turistët, duke ngjallur frikë e panik, përveç prishjes së skajshme të imazhit të Shkodrës në sytë e shqiptarëve dhe të huajve.

Është momenti që në këtë pjesë mjaft të frekuentuar të qytetit, institucionet e qeverisjes vendore dhe të qeverisjes qëndrore, inspektoriatet e ndryshme shtetërore, të kthejnë sytë dhe të veprojnë. Pedonalja “Kolë Idromeno” por dhe të gjitha rrugët e tjera të qytetit, duhet të jenë të sigurta për turistët dhe kalimtarët e përditshëm, të cilët duhet të shijojnë çdo moment në Shkodër.

Publikimi i këtyre pamjeve të shëmtuara në rrjete sociale nga turistë të ndryshëm, do të ishte prezantimi më i keq për Shkodrën, sidomos kur bëhet fjalë për pedonalen kryesore të saj. Duhet vepruar tani, menjëherë sepse ajo që po ndërtohet me mjaft mund e përkushtim për imazhin turistik të Shkodrës, mund të shembet sa hap e mbyll sytë.

 

Artikulli paraprakPLAZHI I SHIROKËS, DASHURIA E PËRHESHME E SHKODRANËVE
Artikulli tjetërHARTA E RE E GJYQËSORIT, AVOKATËT PËRSHKALLËZOJNË MASAT, JA KUR DALIN NË PROTESTË PARA KLGJ-SË