
Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Gjergj Meta, ka reaguar mbi zhvillimet e fundit ndërkombëtare, duke përsëritur thirrjen e Kishës Katolike për paqe dhe ndalimin e konflikteve të armatosura.
Në një deklaratë publike, ai thekson se mesazhi i Papës Papa Leoni XIV është në vijimësi të qartë me mësimin e pararendësve të tij, si Papa Gjoni XXIII, Papa Pali VI, Papa Gjon Pali II, Papa Benedikti XVI dhe Papa Françesku, të cilët kanë mbrojtur vazhdimisht paqen dhe dialogun mes popujve.
Meta nënvizon se në një botë të përfshirë nga konflikte të shumta, përfshirë luftërat në Ukrainë, në Tokën e Shenjtë, në Liban dhe Sudan, çdo luftë mbetet “absurde” dhe me pasoja të rënda për njerëzimin. Sipas tij, ideja se paqja mund të arrihet përmes forcës ushtarake është një qasje e dështuar.
“Parimi ‘Si vis pacem para bellum’ ka treguar kufijtë e tij historikë. Përkundrazi, është e nevojshme të përqafohet një logjikë tjetër: ‘Si vis pacem para pacem’, që nënkupton ndërtimin e paqes përmes mjeteve paqësore,” thekson ai.
Duke iu referuar mesazhit të Papës në fillim të pontifikatit të tij, Meta veçon konceptin e një “paqeje të ç’armatosur dhe çarmatosëse”, si një alternativë ndaj kulturës së armatimit dhe përshkallëzimit të konflikteve.
Në përfundim, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore u bën thirrje udhëheqësve botërorë, përfshirë edhe ata në Shqipëri, që të angazhohen në mënyrë aktive për promovimin e paqes, dialogut dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
Sipas tij, “me luftën humbasim të gjithë, ndërsa me paqen fitojmë të gjithë.”






