
Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka ngritur shqetësime të forta ndaj draftit të ri të Fjalorit të Gjuhës Shqipe të hartuar nga Akademia e Shkencave, duke e cilësuar atë si problematik në disa nivele dhe larg standardeve shkencore.
Sipas saj, fjalori, si akt kulturor dhe kombëtar i financuar me fonde publike, duhet të reflektojë seriozitet, përgjegjësi dhe zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë, gjë që në këtë rast mungon.
Zhupa rendit disa shembuj konkretë që, sipas saj, dëshmojnë punë jo cilësore: futjen e fjalëve të huaja si “abandonim” dhe “onlajn” pa nevojë reale gjuhësore, si dhe përkufizime thellësisht diskriminuese për fjalët “djalë” dhe “vajzë”, ku vajza paraqitet me nota negative dhe paragjykuese.
Ajo thekson se kjo qasje nuk është vetëm e papranueshme shkencërisht, por edhe e rrezikshme shoqërisht, pasi normalizon një mentalitet maskilist përmes një dokumenti normativ të gjuhës.
Në këtë kuadër, Zhupa paralajmëron se do të kërkojë një seancë dëgjimore në Komisionin e Kulturës, ku Akademia e Shkencave të japë shpjegime të hapura mbi procesin e hartimit të fjalorit, grupet e punës dhe kriteret shkencore të përdorura. Ajo nënvizon se kjo çështje nuk do të trajtohet politikisht, por si një interes publik dhe kombëtar, duke kërkuar një diskutim serioz për një nga shtyllat kryesore të identitetit shqiptar: gjuhën.






