Partia Demokratike ka publikuar sot fakte të reja mbi aferën e inceneratorëve.
Belind Këlliçi bëri 2 dokumente të ashtuquajtura ‘autentike’ publike, të cilat tregojnë një kompani që ka kryer evazion fiskal, sipas PD. Sipas dokumenteve, kompania e denoncuar nga PD ka marrë përsipër edhe projekte të tjera të mëdha në Tiranë.
‘Kemi informacione të besueshme se një tjetër kompani, “Ave Consulting” me bashkëpronar Albert Dervishaj, është i lidhur me famëkeqin Erion Veliaj. Do e kallzojmë në SPAK. Duhet të dini se prej vitit 2016, rastësisht në të njëjtën periudhë kur nisi dhe afera me inceneratorët, ekziston një kompani e cila ka lejuar dhe miratuar faturat fiktive të punimeve imagjinare të inceneratorëve dhe kjo kompani quhet “Ave Consulting”. Sot po publikojmë dy dokumenta autentike. E para është kontrata e mbikqyrjes së punimeve me inceneratorin e Tiranës në vlerën 649,440 euro dhe dokumenti i dytë është konfirmimi i kësaj kompanie për mbylljen e punimeve për inceneratorin e Fierit.
Kjo kompani ka bërë projektimin e segmentit “Pallati me Shigjeta – Rreth rrotullimi Shqiponja”, për llogari të një kompanie private, përfituese tek projekti i “Unazës se Re”. Sa për ilustrim të asaj se “Ave Consulting” nuk është marrë për ekspertizën e thellë, por për lidhjet politike në projektin e Unazës, ja edhe një fakt tjetër: Kompania nuk ka në organikë asnjë inxhinier gjeodet. Një profesionist i tillë nevojitet për studimin topografik të veprës. Për të mos i lënë shkas zhvendosjeve të rrugës gjatë zbatimit, sipas interesave të momentit.
Një nga dhjetëra viktimat e kësaj afere është dhe familja 23 anëtarëshe e Haxhi Billes. Së cilës, edhe pse iu komunikua nga ARRSH se shtëpia e tyre nuk do te prishej, ata janë sot të pastrehë. Partia Demokratike bën publike këto fakte sot, duke skicuar gjurmën e rëndë të vjedhjes dhe korrupsionit në të gjitha projektet e mëdha të Tiranës. Habi e madhe qëndron në faktin se firma apo “dora” e kryebashkiakut, gjendet në shkresat, ku konsultat dhe supervizimet i jepen kësaj kompanie. Fakti 650 mijë eurosh, që e lidh edhe me inceneratorët e Klodian Zotos e Mirel Mertirit, është vetëm ‘gozhda e fundit’ në murin ku janë varur portretet e hajdutëve serialë të Bashkisë dhe Qeverisë.
Partia Demokratike i kërkon SPAK të lëvizë. Të gjithë ata që janë dëshmitarë të krimit dhe rrinë pasivë, kthehen në bashkëpunëtorë të heshtur. Thirrja jonë për SPAK është: mos u bëni miratues të heshtur të të gjithë të zezave që u kalojnë para hundës! E nëse serish nuk keni ekspertizën e duhur për këto fakte që parashtruam, mjafton të thërrisni pronarin e “Ave Consulting” dhe ta pyesni se si dhe përse i miratoi këto investime dhe fatura fiktive.
Te gjitha informacionet e mësipërme dhe kontratat e publikuara, do t’i depozitojmë e do të vëmë në dijeni SPAK, në mënyrë që t’i ndihmojmë në zbardhjen e kësaj afere. E nëse SPAK e ka me të vërtetë dhe i shkon deri në fund aferës së inceneratorëve dhe inceneratorit të Tiranës, atëherë përpara drejtësisë do të shihni Edi Ramën dhe Erion Veliajn të cilët do të përfundonin në burg.’- përfundoi Këlliçi.