Incidentet, Nishani: Serbia po i kthehet kohës së Millosheviçit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, akuzon politikën serbe se po i kthehet kohës së Millosheviçit me synim nxitjen e tensioneve dhe konflikteve në rajonin e Ballkanit. Gjatë një pritje me trupin diplomatike, me rastin e Vitit të Ri, Nishani iu referua arrestimit të kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, pas një urdhërarresti të Beogradit që në vitin 2004 si dhe ndalimi i trenit me shkrime nacionaliste para se të hynte në Kosovë. Sipas Nishanit, Serbia nuk mund të mbajë në fuqi masat e Millosheviçit. “Mbajtja në fuqi nga Serbia e masave të Millosheviçit për Kosovën nuk i shërben frymës së pajtimit. Bllokimi i Kosovës në nivel rajonal dhe kombëtar bie ndesh me angazhimet e marra nga ata. Ne kërkojmë ecje përpara dhe jo kthim pas, në kohët e errëta kur regjimi i Millosheviçit aplikonte spastrim etnik” – tha ai. Kreu i shtetit theksoi se Shqipëria nuk do neglizhojë për asnjë moment vëmendjen nga shqiptarët në rajon. “Shqipëria kurrsesi nuk do mund të neglizhojë vëmendjen konform standardeve ndërkombëtare ndaj statusit të bashkëkombësve tanë në të gjitha vendet e rajonit. Respektimi i tyre është thelbësor”- tha Nishani. Presidenti shqiptar vlerësoi gjithashtu se vitet e fundit rajoni i Ballkanit ka shënuar progres në marrëdhëniet mes vendeve, ndërsa theksoi se me rëndësi është ruajtja e kësaj klime pozitive. “Vitet e fundit rajoni i Balkanit ka bërë progres duke lënë pas të shkuarën konfliktuale, vendet kanë qenë të orientuara drejt pajtimit e bashkëpunimit, edhe ky progres duhet mbrojtur dhe promovuar më tej. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA ishte elementi substancial për paqen dhe pajtimin në rajon, Shqipëria e ka mbështetur fuqimisht dhe pa rezerva. Ngjarjet që minojnë këto situata nuk i shërbejnë aspak stabilitetit të gjithë rajonit”- tha Nishani.