Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka reaguar në lidhje me incidentit që u regjistrua gjatë ndeshjes me Poloninë, ku tifozët tanë hodhën në fushë shishe e sende të ndryshme, duke theksuar se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë më. FSHF bën thirrje për kujdes, teksa thekson se ekspertë të UEFA-s do të vijnë në Tiranë për monitorim.

“Federata Shqiptare e Futbollit ishte duke punuar prej muajsh me UEFA-n në lidhje me një aktivitet të rëndësishëm përsa i përket sigurisë në stadiume, edhe në kuadër të finales së Conference League që do të organizojmë në 25 maj 2022.

Pas ngjarjeve në ndeshjen me Poloninë ky aktivitet bëhet edhe më emergjent, në mënyrë që të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në të tilla çështje të bëjmë më të mirën për organizimin e një ndeshjeje. Ekspertët e UEFA-s do të jenë këtu për të ndjekur disa ndeshje të Abissnet Superiores dhe kryesisht derbit ku ka prani më të madhe tifozësh, për të strukturuar në mënyrë perfekte organizimin për të tilla ndeshje”, thuhet në reagim.

Për incidentin FSHF shprehet se ishte një ngjarje që nuk nderon as kombëtaren e as tifozët tanë, por thekson se këta të fundit nuk janë të dhunshëm. Sipas FSHF, tifozët tanë u provokuan në mënyrë të vazhdueshme nga ana e tifozëve polakë që kanë goditur për gati 2 orë tifozët në dy tribuna. FSH përmend edhe faktin se tifozët polakë njihen për të tilla sjellje agresive, duke përmendur se ata kanë qenë në Wembley në ndeshjen Angli-Hungari dhe kanë pasur përplasje të shumta me tifozë vendas dhe policinë vendase.

“Ne jemi të vetëdijshëm se incidentet e të martës në mbrëmje nuk na nderojnë. Duhet të nxjerrim të gjithë mësime përsa na përket si organizatorë. Kishim 22 mijë tifozë të shkëlqyer dhe vetëm dhjetëra individë na njollosin gjithçka të mirë që skuadra ka bërë deri më tani.

Një gjë është shumë e qartë: Ne nuk kemi tifozë të dhunshëm, nuk kemi një historik të tifozëve problematik, përkundrazi sjellja e shkëlqyer dhe mbështetja që tifozët tanë japin në ndeshjet dhe jashtë fushe është bërë objekt krenarie për ne.

Ngjarjet e djeshme janë pasojë e një provokimi të vazhdueshëm, dhe një sjelljeje shumë agresive nga ana e tifozëve polak që kanë goditur për gati 2 orë tifozët tanë në dy tribuna. Tifozët polak njihen për të tilla sjellje dhe prej ditësh të gjithë autoritetet e përfshira në ndeshje kanë bërë maksimumin për të parandaluar ngjarje më të rënda.

Nuk duhet të harrojmë se në të njëjtën orë me ndeshjen tonë në “Air Albania” Stadium, tifozë polak kanë qenë në Wembley në ndeshjen Angli-Hungari dhe kanë pasur përplasje të shumta me tifozë vendas dhe policinë vendase.

Ne nuk i shmangemi përgjegjësive tona, i njohim ato, por duhet të jemi gjithmonë pranë të vërtetës, sepse vetëm ajo na shërben për të ecur para. Në asnjë moment, askush, nuk duhet të drejtojë gishtin e akuzës dhe të shpallë fajtorë, por së bashku duhet të reflektojmë dhe të përmirësojmë punën tonë”, shprehet FSHF.

Më tej në reagim theksohet se FSHF do të mbajë përgjegjësitë që i takojnë dhe shton se kanë nisur punën së bashku me autoritetet përkatëse për të rritur kapacitetet organizative.

Tifozët shqiptarë qëlluan me shishesh futbollistët e Polonisë pasi këto të fundit shënuan gol ndaj kombëtares duke kaluar ndeshjen në avantazh Për pasojë, loja u ndërpre për disa minuta për të rifilluar sërish.