
Shqipëria është vendosur në fund të listës për cilësinë e jetesës në Europë, sipas raportit më të fundit të platformës ndërkombëtare Numbeo duke zënë kështru vendin e 37-të ndër 37 shtete europiane të analizuara.
Kjo renditje e bën Shqipërinë, vendin me cilësinë më të ulët të jetës në kontinent për këtë vit, sidomos për fuqinë blerëse, çmimet e larta të apartamenteve në raport me të ardhurat dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor, ku jemi të fundit në Europë.
Indeksi i Numbeo përllogaritet mbi bazën komponentëve kryesorë që përfshijnë fuqinë blerëse, sigurinë, cilësinë e shëndetësisë, koston e jetesës, raportin çmim të pasurisë ndaj të ardhurave, ndotjen, kohën e udhëtimit dhe klimën.
Të dhënat mblidhen nga përdorues të platformës dhe nga burime të tjera zyrtare dhe përditësohen në kohë reale për të reflektuar realitetin ekonomik e social të çdo vendi.
Në rastin e Shqipërisë, renditja në fund të listës është rezultat i disa faktorëve të kombinuar. Sipas indeksit të fuqisë blerëse, Shqipëria renditet e fundit, duke u pozicionuar edhe më keq se Ukraina.
Niveli i ulët i fuqisë blerëse do të thotë se të ardhurat reale nuk përballojnë kostot e jetesës. Një familje shqiptare shpenzon mesatarisht 40% të buxhetit për tu ushqyer, në krahasim me 13% që është mesatarja europiane, sipas Eurostat.
Edhe raporti mes çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe të ardhurave është më i pafavorshmi në Europë. Ky raport mat përballueshmërinë e blerjes së një apartamenti.
Edhe treguesit e lidhur me ndotjen rendisin Shqipërinë të parafundit në Europë ndërsa për kujdesin shëndetësor, e vlerëson me cilësinë më të ulët.
Ky indeks merr parasysh përgatitjen dhe profesionalizmin e personelit mjekësor; Shpejtësia e shërbimit; Kostoja; Saktësia e diagnostikimit dhe teknologjia në dispozicion.
Ky indeks është perceptues, dhe nuk përfaqëson matje zyrtare nga institucione shëndetësore apo agjenci shtetërore. Megjithatë, ai jep një panoramë krahasuese të eksperiencës së qytetarëve me kujdesin shëndetësor në vendin e tyre.