
Të paktën 27 persona kanë humbur jetën që nga e hëna në shtetin veriperëndimor indian të Gujaratit, si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm të musoneve. Sipas njoftimit të bërë sot nga qeveria lokale, ekipet e shpëtimit janë vendosur në terren për të ndihmuar dhe evakuuar dhjetëra banorë në zonat më të goditura.
“Numri i viktimave nga incidentet e lidhura me reshjet e shiut në Gujarat u rrit në 27 të mërkurën”, thuhet në deklaratën zyrtare të qeverisë së shtetit. Një bilanc i mëparshëm raportonte të paktën 18 të vdekur. Qytetet Palitana dhe Jessore janë ndër zonat më të prekura, ku vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 867 mm reshje. Alok Kumar Pandey, drejtuesi i shërbimeve të emergjencës në Gujarat, deklaroi të martën se shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e shembjeve të ndërtesave ose goditjeve nga rrufeja.
Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut janë të zakonshme gjatë sezonit të musoneve në Indi, i cili zgjat nga korriku deri në shtator. Sipas shkencëtarëve, ndryshimet klimatike po i bëjnë këto ngjarje gjithnjë e më të shpeshta, më intensive dhe më të paparashikueshme.