Aksioneve në luftën ndaj informalitetit nuk i shpëtojnë as firmat e kontraktuara nga delegacioni i bashkimit europian në Shqipëri. Drejtoria rajonale e tatim-taksave në Shkodër ka konstatuar rreth 10 punonjës që punonin për ndërtimin e burgut të Reçit në njësinë administrative Shkrel tashmë pjesë e bashkisë Malësi e Madhe ishin në të zezë.

Këta 10 punonjës sipas akteve të konstatimit nuk janë të regjistruar në skemën e sigurimeve shoqërore. Në këtë mënyrë një prej grupeve të punës që mbulon ish-komunat ka ushtruar një kontroll në burgun e Reçit i cili është në ndërtim e sipër. 10 punonjësit që janë pjesë e 4 subjekteve të ndryshme të kontraktuara mësohet se janë ndëshkuar secili me nga 5 milion lekë të vjetra me një shumë në total prej 50 milion lekësh të rinj. Pavarësisht këtij konstatimi dhe gjobës së vënë ende nuk është përfundimtare sepse këto shkelje që janë gjetur në vendin e punës në burgun e Reçit do t’i dërgohen drejtorisë së përgjithshme të tatimeve nga ku më pas do të vijë edhe përgjigja përfundimtare, një procedurë që përgjithësisht ndiqet gjithmonë. Burgu i Reçit në aksin Koplik-Dedaj është një financim prej afro 19 milion eurosh nga bashkimi europian. Para dy viteve nisja e punimeve u inagurua nga nga ish-ambasadori i BE në Shqipëri Ettore Sequi dhe ish-ministri i drejtësisë Eduart Halimi, në një ditë me shi ku nuk munguan as batutat. Investimi për ndërtimin e burgut të Reçit është pjesë e programit IPA dhe zbatohet nga delegacioni i BE në Shqipëri, i cili edhe pse ka zgjedhur subjekte nga Tirana apo Durrësi, nuk ia ka arritur që të shmang informalitetin teksa tatimet kanë zbuluar 10 punonjësit e pasiguruar. Burgu i Reçit ka një kapacitet prej afro 800 personash dhe afati i përfundimit të punimeve ishte maji i 2015-ës por duket se do shkojë deri në fund të këtij viti ndërsa është projektuar edhe për të burgosurit shqiptar në vendet e BE-së.