Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vijon aksionet kundër evazionit fiskal dhe informalitetit.

Për vitin 2020 në fokus janë disa nga sektorët që gjatë vitit të kaluar janë identifikuar si të riskuar sa i takon evazionit, siç është ndërtimi, sektori i hidrokarbureve dhe baret e restorantet. Po ashtu një vëmendje e shtuar do t’i kushtohet edhe mos deklarimit të pagave reale.

Inspektorët tatimorë vetëm në muajin janar 2020, kanë kryer në total 1971 kontrolle, ku 872 biznese kanë rezultuar në shkelje të legjislacionit tatimor. Pra pas kontrolleve të ushtruar është konstatuar se rreth 40% e bizneseve të kontrolluara ishin në shkelje.

Rastet më të shumta të shkeljeve të identifikuara kishin të bënin me mallra pa dokumentacion tatimor, me 199 raste të tilla. Më pas me 195 raste të konstatuara vetëm për muajin janar renditet shkelja e moslëshimit të kuponit tatimor për herë të parë. Ndërkohë janë mbyllur tre subjekte pasi janë gjetur në shkelje të përsëritur për moslëshim të kuponit tatimor hera e dytë.

Po ashtu 61 tatim pagues janë gjetur në shkelje pasi nuk kishin të instaluar pajisjet fiskale si dhe nuk i mbanin në gjendje pune. Ndërkohë vijon të jetë prezent edhe shqetësimi i punësimit në të zezë, pasi sipas inspektimeve vetëm në muajin e parë të vitit u identifikuan me punonjës të padeklaruar 92 tatimpagues nga të cilët 72 subjekte “biznes i vogël” dhe 20 subjekte “biznes i madh”.

Këtë vit përveç implementimit të sistemit të ri të Fiskalizimit i cili synon monitorimin në kohë reale të bizneseve dhe uljen e informalitetit, biznesi do të përballet me gjoba të reja për shkeljet. Nga ana tjetër duke filluar nga muaj maj inspektorët do të pajisen me GPS. Një masë kjo që sipas tatimeve do të ulë abuzimet nga ana e inspektorëve.

Artikulli paraprakSHQIPTARI KAPET DUKE VJEDHUR, SULMON PRONARIN E BANESËS
Artikulli tjetërI EKZEKUTUARI NË LONDËR: “KUR TË RRITEM DUA TË BËHEM TERRORIST”