
Kryeministri Edi Rama është i pranishëm në eventin për infrastrukturën nëntokësore në zonat urbane me në fokus sistemimi i kabllove ajrore dhe strukturave të improvizuara që dëmtojnë pamjen e qyteteve, kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore dhe roli i bashkive në këtë proces.
“Është tanimë plotësisht e mundur që të pastrojmë qytetet tona nga fijet plastike të merimangave dhe siç e tregon inventari, pjesa dërrmuese e këtyre kabllove janë pa funksion, por qëndrojnë aty tërësisht si shenjë e harresës dhe mungesës së vëmendjes”, tha kryeministri.
Në 10 ditët e para të korrikut do të prezantohet edhe programi Rilindja Urbane 2.0 që adreson një sërë problematikash, tha Rama.
“Programi do të adresojë nevojën për të bërë një ndërhyrje gjithëpërfshirëse te ujësjellësat. Së dyti, do të adresojmë nevojën për të çuar në një nivel tjetër transportin urban dhe interurban. Pika më e dobët është transporti i sezonit të pikut kur bëhet shumë e vështirë për turistët dhe vizitorët të lëvizin me mjete të transportit publik. Është e rëndësishme të hyjmë në një fazë kur transporti të jetë plotësisht i gjelbër, me autobusë elektrikë dhe së dyti, për të ndërtuar një sistem përdorimi dhe administrimi të këtyre mjeteve nga bashkitë. Do ta shtrijmë tanimë në të gjithë territorin, do të kemi një park logjistik që do u shërbejë bashkive për të gjitha punimet e pastrimeve, mirëmbajtjes etj që lidhen me situata post-emergjencë. Do të mbështesim një program për të krijuar kapacitete më domethënëse për parkimet”, tha kryeministri.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi tha se synohet që zonat e populluara të mbulohen nga rrjeti 5G.
“Të gjitha zonat e populluara të jenë të mbuluara nga rrjete me shpejtësi të lartë, performancë 5G. Objektivi është ndërtimi i një shoqërie gigabit ku qytetarët dhe bizneset të kenë akses në shpejtësi të lartë”, tha Karakaçi.


