Kontrolle online, inspektorët e ushqimit monitorohen me kamera

Inspektorët që kontrollojnë cilësinë e ushqimit, kushtet higjieno-sanitare në bare, restorante apo në të tjera subjekte që ofrojnë shërbim ndaj qytetarëve, nuk do të mund të tolerojnë më asnjë shkelje, pasi çdo veprim i tyre tanimë regjistrohet. Ata janë të pajisur me laptop, kodin e tyre personal, kamera dhe në momentin që nis kontrolli monitorohen online. “Inspektimi nuk përdoret në mënyrë të diferencuara për qëllime korruptive apo politike. Në momentin që një inspektor bën një kontroll, automatikisht gjurma është në sistemin qëndror. Do të dijmë në çdo moment se ku është trupa inspektuese fizikisht dhe çfarë akti inspektimi po kryen në atë moment”, thotë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Inspektorët e Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror kanë marrë këto pajisje dhe çdo gjobë e vendosur prej tyre nuk mund të fshihet, pasi menjëherë regjistrohet në serverin qendror. “Është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të transparencës, luftës kundër korrupsionit dhe efektshmërisë së punës së inspektorëve në terren. Inspektorët do të jenë gjatë gjithë kohës të gjurmueshëm dhe transparentë me punën e tyre”, deklaroi kreu i ISHSH-së, Eltar Deda. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj tha se vitin e ardhshëm parashikohet të ketë rritje pagash edhe për inspektorët, të cilët përballen me vështirësi të ndryshme gjatë punës së tyre.