Numri i martesave në Shqipëri ka rënë në nivelin më të ulët historik që nga 1990, me vetëm 16,120 çifte të regjistruara në 2024, rreth 7.7% më pak se në 2023 dhe mbi 18% më pak se në kulmin e vitit 2021. Krahasuar me 1990, kur kishte gati 29 mijë martesa, sot shifra është përgjysmuar. Rënia lidhet kryesisht me emigracionin e të rinjve, pasiguritë ekonomike dhe koston e lartë të jetesës. Pas pandemisë pati një rritje të përkohshme, por që më pas u kthye në rënie të shpejtë.
Ulja e martesave sjell automatikisht më pak lindje: në gjashtëmujorin e parë të 2025 lindjet ranë me 6.5% dhe shtesa natyrore po shkon drejt zeros, ndërsa në disa qytete rënia ka kaluar 35%. Shqipëria po përballet me emigracion masiv, plakje të popullsisë dhe mungesë të politikave mbështetëse për familjet e reja, ndërkohë që çmimet e banesave, qirave dhe shërbimeve janë rritur ndjeshëm.
Në Shkodër, situata është veçanërisht dramatike: lindjet janë përgjysmuar në 20 vitet e fundit, me një rënie vjetore prej rreth 13%, duke reflektuar ndikimin e zakonshëm të emigracionit, ekonomisë së pasigurë dhe prirjeve të ndryshme familjare. Pa një përkrahje shtetërore për familjet, ky trend alarmues mund të thellohet edhe më shumë në të ardhmen.

https://youtu.be/Tq-j1adQixY

Artikulli paraprakKAFSHIMET NGA GJARPËRINJTË, MJEKËT MARRIN MASA
Artikulli tjetërMURIQAN, 46 MIJË PERSONA KANË LËVIZUR NË 48 ORË