Instituti i Statistikave raporton se rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2021 vlerësohet në 5.53%. Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët industria nxjerrëse, energjia dhe uji me 2,56 pikë përqindje e ndjekur nga ndërtimi me 1,09 pikë përqindje dhe arsimi e shëndetësia, me 0.97%.

Sipas INSTAT gjatë periudhës Janar-Mars performancë zhgënjyese shfaqi bujqësia që ishte pothuajse në të njëjtin nivel prodhimi me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Ndërkohë sektorët e tregtisë, transportit dhe turizmit, aktivitete me peshë mjaft të lartë në ekonominë shqiptare pësuan rënie pa mundur të rimëkëmbet nga efektet e krizës së pandemisë covid-19.

Ekonomia shqiptare regjistron kështu të dytin tremujor radhazi me rritje pozitive, pasi kishte kaluar pesë tremujorë në rënie të shkaktuar kryesisht nga pasojat e tërmetit të nëntorit 2019 dhe të pandemisë që preku vendin në mars 2020. Kjo konfirmon projeksionet pozitive dhe përmirësimet e aktivitetit ekonomik për shkak të një efekti në rënie të pandemisë.

Artikulli paraprakSHIFRAT DREJT ZEROS, ASNJË VIKTIMË NGA COVID-19, VETËM NJË RAST I RI NË GJITHË SHQIPËRINË
Artikulli tjetërCOVID-19/ KONFIRMOHEN DY RASTE TË VARIANTIT DELTA NË KOSOVË