Shqipëria vazhdoi të përballet me një sfidë strukturore në tregun e punës së të rinjve, ku 20,1% e grup-moshës 15-29 vjeç rezultojnë jashtë sistemit arsimor, pa punë dhe pa përfshirje në formim profesional (NEET) në vitin 2025.

Të dhënat e fundit zyrtare nga INSTAT tregojnë se brenda kësaj grup-moshe në Shqipëri, 38,5% e të rinjve rezultojnë të papunë aktivë, pasi janë duke kërkuar punë dhe janë të gatshëm të hyjnë në tregun e punës. Pjesa tjetër 1,6 % mbetet jashtë tregut të punës pasi klasifikohen si të dekurajuar, ndërsa 19,5% janë të angazhuar në detyra familjare, duke rritur fëmijë apo duke u kujdesur për dikë në familje.

Një pjesë e konsiderueshme për 40,4%, renditet në kategorinë “të tjera”, çka tregon një nivel të lartë informaliteti ose pasigurie në deklarimin e statusit të tyre ekonomik.

Shqipëria ka përqindjen e të rinjve as në punë dhe as në shkollë gati dyfish mbi mesataren e BE-së dhe në nivele të larta rajonale. Kosova rezulton me nivelet më të larta të NEET në rajon, që arrin rreth 30% ose, e ndjekur nga Shqipëria me rreth 20%. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi lëvizin në intervalin 17%, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia regjistrojnë nivele më të ulëta, por ende dukshëm mbi standardet europiane.

Në paradoks me të rinjtë, numri i të punësuarve në moshën mbi 65 vjeç ka pësuar rritje. Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga 119,862 në 2024 numri i tyre arriti në 130,274 në 2025. Këta persona edhe pse në moshë pensioni, janë kryesisht të vetëpunësuar në bujqësi pa kontribute, të cilët sipas metodologjisë vendase konsiderohen të punësuar edhe kur angazhohen në fermën e tyre të vogël dhe prodhojnë vetëm për vetë-konsum./ Monitor

Artikulli paraprakPËRPLASJET TE KUVENDI, POLICIA DEL ME NJOFTIM ZYRTAR: KEMI ARRESTUAR 19 PERSONA, U DËMTUAN 15 EFEKTIVË DHE 1 AUTOMJET POLICIE
Artikulli tjetërQYTETARËT SULMUAN PUNONJËSIT E POLICISË DHE DËMTUAN MAKINAT E TYRE, REAGON LAMALLARI: ATA QË DHUNOJNË ÇDO GJË NUK JANË PROTESTUES, POR VANDALË