Kryeministri i Shqipërisë në tryezën e “The Economist”, që po zhvillohet në Athinë, ka prekur disa tematika, ku më e rëndësishmja është integrimi i Shqipërisë në BE.

Rama thekson, se edhe pse BE nuk vendosi pro mbajtjes së mbledhjes së parë Ndërqeveritare, marrëdhëniet me ta janë po të njëjtat.

“U deshën disa vite për të pushtuar Trojën. Në të njëjtën mënyrë po përparon edhe përvoja e vendeve të Ballkanit në radhët e BE”, tha Rama.

Kryeministri ka ripërsëritur edhe njëherë shprehjen që citoi në konferencën e përbashkët me Zoran Zaev, duke thënë se “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po presin Godonë”, duke iu referuar këtu librit të Samuel Beckett.

Ndër të tjera, Rama nënvizoi se Shqipëria do të bëjë gjithçka që të bëhet pjesë e familjes së madhe Evropiane.

“Vendet e Ballkanit kanë vite që janë në proces integrimi dhe do të bëjnë gjithçka për të qenë anëtare të BE. Nuk kemi alternativë tjetër dhe nuk duam të kërkojmë për alternativë tjetër. Por është shumë e lodhshme të qëndrosh në dhomën e pritjes. Sot ne jemi peng i nacionalizmit evropian. Dhe është e trishtueshme“, u shpreh ndër të tjera kreu i qeverisë.