
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kreu i qeverisë Edi Rama foli për rëndësinë e rezultatit të 11 majit, duke thënë se rezultati ka peshë për integrimin e vendit në BE.
“Situata edhe vetë rëndësia, edhe vetë konteksti i këtyre zgjedhjeve është i pazakontë. Të gjithë ne që jemi këtu dhe gjithë familja politike të vetëdijesohet sa më shumë për rëndësinë e jashtëzakonshme të këtyre zgjedhjeve në një kontekst të jashtëzakonshëm gjeopolitik. Në asnjë prej tyre pesha e gjeopolitikës nuk ka qenë e pranishëm siç është në këto zgjedhje. Rezultati i 11 majit ka një peshë të madhe për të ardhmen e vendit, shumë më të madhe se zgjedhjet e mëparshme.
Kjo është dritarja e hapur që Shqipëria nuk duhet dhe nuk do lejojmë ta humbë si mundësi. Kemi dakordësuar me BE një kalendar të negociatave që është i paprecedentë në historinë e integrimit dhe në proceset negociuese të BE me një vend kandidat. Që nga viti i kaluar kur filloi konkretisht të zbatohet procesi i negociatave pas procesit screening deri sot që flasim, shpejtësia me të cilën ne kemi përparuar në hapjen e kapitujve është i paprecedentë, asnjë vend para nesh dhe asnjë vend i rajonit s’ka ecur me këtë shpejtësi.
Kjo jo vetëm për meritën tonë, por në radhë të parë sepse vullneti i palës tjetër është i paprecedentë. Të tjerët janë pas nesh. Këtë proces që po e bëjmë në kohë kaq të shkurtër, me Malin e Zi që e ka bërë për shumë vite, jemi krah për krah. Kalendari që na kanë dhënë është të mbyllim negociatat në 2027. Pse 11 maji është i kaq i rëndësishëm. Ndërkohë që ne flasim sot, janë rreth 1 mijë persona të angazhuar në shtetin shqiptar që punojnë dhe si tani çdo ditë për negociatat”, tha Rama.