
Ka nisur ndërtimi i pritës malore në fshatin Kolsh, një investim i Bashkisë Lezhë që synon të zgjidhë një nga problematikat më të hershme të zonës, atë të përmbytjeve gjatë periudhave me reshje intensive.Kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu, ka inspektuar nga afër punimet, duke theksuar se kjo ndërhyrje do të përmirësojë ndjeshëm situatën, duke shmangur vërshimin e ujërave drejt shkollës dhe banesave të zonës. Sipas tij, ndërtimi i pritës malore do të krijojë një sistem më efikas për menaxhimin e ujërave, duke reduktuar rrezikun e përmbytjeve dhe dëmeve që ato shkaktojnë çdo herë gjatë reshjeve të dendura.
Ndërhyrja vlerësohet si një investim i rëndësishëm për komunitetin e Kolshit, pasi përveç mbrojtjes së infrastrukturës publike dhe pronave private, do të garantojë edhe më shumë siguri për nxënësit dhe banorët që përballen shpesh me vështirësi gjatë motit të keq.
Bashkia Lezhë ka bërë të ditur se investimet në infrastrukturën mbrojtëse dhe kulluese do të vijojnë edhe në zona të tjera të njësive administrative, me synim parandalimin e përmbytjeve dhe rritjen e sigurisë për banorët.






