
Lagjja nr. 3, e njohur më herët si zona e “Parafabrikateve” në qytetin e Laçit, po merr një tjetër pamje pas përfundimit të ndërtimit të pallateve të reja dhe dorëzimit të apartamenteve tek banorët përfitues te cilet u demtuan nga termeti i vitit 2019.Puna ka vijuar me sistemimin e infrastrukturës përreth tyre, me qëllim krijimin e një ambienti më të përshtatshëm dhe funksional për banorët e kësaj zone.Në terren po ndërhyhet për rregullimin dhe sistemimin e hapësirave përreth pallateve, duke i dhënë lagjes një pamje të re dhe kushte më bashkëkohore jetese.
Kjo është një tjetër zonë e qytetit të Laçit që ka pësuar një transformim të rëndësishëm, duke lënë pas problematikat dhe kushtet e vjetra të banimit.
Punimet në lagjen nr. 3 u inspektuan edhe nga kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, e cila pa nga afër ecurinë e ndërhyrjeve dhe punën që po kryhet për sistemimin e infrastrukturës.
Nga Bashkia Kurbin bëhet me dije se ndërhyrjet synojnë përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të jetesës për familjet që tashmë janë sistemuar në apartamentet e reja, duke e kthyer zonën në një lagje moderne dhe më funksionale.Transformimi i “Parafabrikateve” është një tjetër ndryshim i dukshëm në Laç, ku pas ndërtimit të banesave të reja, fokusi është zhvendosur edhe tek krijimi i një infrastrukture dhe hapësire urbane në përputhje me standardet e reja të banimit.


