Investimet në infrastrukturë po i hapin rrugë zhvillimit të turizmit në zonat rurale të Lezhës. Në Pllanë, një nga zonat me potencial të lartë natyror dhe kulturor, ka nisur rikualifikimi i segmentit rrugor që e lidh atë me akset kryesore.Ndërhyrja e Bashkisë Lezhë fokusohet në përmirësimin e aksesit drejt një zone që mbart vlera të rëndësishme të trashëgimisë, ku përfshihen objekte kulti, peizazhe të paprekura dhe tunele të periudhës austro-hungareze. Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, shprehet se ndërhyrja do të ndikojë si në rritjen e numrit të vizitorëve, ashtu edhe në përmirësimin e jetës së përditshme të banorëve.

Për banorët e Pllanës, kjo ndërhyrje shihet si një mundësi për zhvillim dhe rigjallërim të zonës. Ata theksojnë se infrastruktura më e mirë do të sjellë më shumë turistë dhe do të nxisë investime të reja, duke krijuar perspektivë për të ardhmen.

Punimet pritet të përmbyllen brenda muajit korrik, ndërsa në fazën pasuese parashikohet ndërtimi i itinerareve turistike. Qëllimi është që Pllana të integrohet në ofertën turistike të Bashkisë Lezhë dhe të kthehet në një pikë referimi për turizmin e natyrës dhe kulturës.

Artikulli paraprakZJARRET, ADZM NË GADISHMËRI PËR MONITORIMIN E ZONAVE
Artikulli tjetërLAMALLARI MBLEDH DREJTUESIT E AMP: LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT NË RADHËT E POLICISË SË SHTETIT, PRIORITET QË NUK NEGOCIOHET