Qeveria rrezikon të mos t’i realizojë investimet publike të parashikuara. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, rreth 50% e fondeve të planifikuara janë akumuluar në 3 muajt e mbetur të vitit. Shkaku kryesor për vonesat janë burokracitë në tenderime. Qeveria është e vonuar në realizimin e investimeve publike.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se teksa kanë mbetur 3 muaj nga përfundimi i vitit fiskal është realizuar vetëm gjysmën e fondit vjetor prej 63.2 miliardësh të planifikuar për investime. Në fund të periudhës nëntë mujore fondet e disbursuara ishin vetëm 32.9 miliardë lekë, ndërkohë që deri në fund të vitit duhet të shpenzohen edhe 30.3 miliardë lekë. Faktori kryesor që ka ndikuar në mosrealizimin e invetsimeve publike janë vonesat në procesin e tenderimeve. Nga ana tjetër, kalimi i kompetencave nga Ministria e Financave tek ajo e Zhvillimit Ekonomik për alokimin e fondeve për investimet ka rritur procedurat burokratike e për rrjedhojë po pengon alokimin e tyre sipas programit. Investimet publike janë një ndër burimet kryesore që ushqen rritjen ekonomike. Mosrealizimi i tyre ka qenë një problem për qeverinë edhe vitin e kaluar. Gjatë rishikimit të buxhetit në gusht qeveria rishikoi me ulje fondin për investimet. Nga më shumë se 67 miliardë lekë që ishin programuar investimet publike në janar, ato zbriten në 63 miliardë lekë ose 7% më pak.