Greqia i ka dhuruar Shqipërisë 100 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, të cilat kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në ISHP. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, teksa njofton se në total në vendin tonë janë mbi 1.2 milionë vaksina anti-COVID të mbërritura.

“100,000 doza të vaksinës AstraZeneca sapo kanë mbërritur në Institutin e Shëndetit Publik, falë solidaritetit dhe mbështetjes së qeverisë së Republikës së Greqisë për Shqipërinë. 1,220,070 vaksina anticovid kanë mbërritur deri tani në vendin tonë. Jemi të vendosur për të vijuar pa u ndalur me planin kombëtar të vaksinimit, derë më derë, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, njofton Manastirliu.

Deri tani në vendin tonë është vaksinuar me të paktën një dozë mbi 26% e popullsisë. Aktualisht në Shqipëri po përdoret vaksina Pfizer si dozë e parë dhe e dytë, Astrazeneca vetëm si dozë e dytë, Coronavac dozë e parë dhe vaksina ruse është në fazën e mbulimit me dozë të dytë. Vendi është në një proces vaksinimi masiv.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik deri tani në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar të variantit Delta të COVID-19.