Në strukturat qeverisëse qëndrore e vendore por edhe në sistemin e drejtësisë vazhdon që të ketë ende shumë persona ish-bashkëpunëtorë të sistemit komunist.

Një gjë të tillë e pohon kryetari i ish-të përndjekurve politik në Shkodër Zenel Drangu ndërsa Shqipëria ndodhet në një moment delikat siç është procesi i reformës në drejtësi apo ligji i Vettingut.

Kreu i të përndjekurve Drangu shpreson që me reformën në drejtësi të pastrohen strukturat qeverisëse dhe gjykatat e prokuroritë nga ish-bashkëpunëtorët e komunizmit. Me ligjin e dekriminalizimit apo edhe reformën në drejtësi pritet që përveç të zyrtarëve të korruptuar të largohen edhe ata të cilët në regjimin monist ndëshkuan qytetarët shqiptar duke shkelur të drejtat e njeriut.