Një ish-hetues antikorrupsion në Maltë deklaroi për BBC se druhet për jetën e tij pasi ndoqi akuzat e bëra nga gazetarja e vrarë Daphne Caruana Galizia.

Jonathan Ferris tha se ka kërkuar mbrojtje nga policia pasi është i shqetësuar se mund të jetë shndërruar në objektiv, sepse hetoi pretendimet e gazetares ndaj politikanëve më të lartë. Caruana Galizia u vra nga një bombë e vendosur në makinën e saj më 16 tetor 2017. Ajo njihej për investigimet kundër korrupsionit dhe zyrtarëve të lartë dhe vrasja ka ngritur dyshime të shumta se u bë për ti mbyllur gojën pasi preku njerëz të fuqishëm me punën e saj.

Duket se edhe fjalët e ish hetuesit Ferris mbështetin këto dyshime, pasi ai u shkarkua nga detyra ndërsa hetonte llogaritë jashtë vendit në parajsa fiskale të shefit të stafit të kryeministrit të vendit dhe një ministri. Ferris punonte për agjencinë malteze kundër pastrimit të parave, por u shkarkua qershorin e shkuar. Vrasja e gazetares që pasoi, deklaroi ai, i hapi sytë dhe nisi të marrë masa për të mbrojtur veten. Megjithëse autoritetet malteze thanë se Ferris u shkarkua për çështje performance në detyrë, ish hetuesi thotë se nëse i ndodh diçka, do të publikojë informacionet që ka zbuluar.

Në intervistën për BBC, Ferris tha se i ka lënë miqve dhe familjarëve mjaft informacione që do të bëhen publike në rast se ai vdes papritur. Vrasja e gazetares malteze, për të cilin janë arrestuar tre persona por jo porositësit, bëri që edhe komisioni evropian të nisë hetimet për anëtarin e vogël dhe ti kërkojë Maltës të zbulojë sa më shpejt fajtorët.