Nju Jork, ish-shoferi i konsullatës kosovare i akuzuar për trafik armësh

Ish-shoferi i Konsullatës së Kosovës në Nju Jork rezulton mes 8 personave të akuzuar nga autoritetet amerikane për një seri veprash të rënda penale, nga trafiku i armëve tek pastrimi i parave. Zyrtarët amerikanë të rendit i thanë “Zërit të Amerikës” se ndalimet e këtyre personave erdhën pas një operacioni përgjimi dhe provat do t’i paraqiten së shpejti një jurie të madhe. Hetimet u kryen nga agjencia amerikane kundër drogës, DEA. Sipas dëshmisë së oficerit Gary Bailey, përgjimet e të akuzuarve janë bërë përmes tre informatorëve, të identifikuar si CS-1, CS-2 dhe CS-3, të tre individë me të kaluar kriminale por që kanë pranuar të bashkëpunojnë me autoritetet. Sipas dokumenteve hetimore, që janë mbikëqyrur nga redaksia e “Zërit të Amerikës”, përgjimet kanë filluar në muajin tetor të vitit 2016 dhe kanë vazhduar të paktën deri në fund të muajit maj 2017. Zyrtarët amerikanë thanë se autoritetet arritën të bllokojnë një trafikim armësh nga Kosova dhe se provat e këtij operacioni do të paraqiten së shpejti në gjykatë. Provat, sipas zyrtarëve, tregojnë përfshirjen e Veliut, i cili tashmë ndodhet i ndaluar dhe i është mohuar lirimi me kusht. Prokurorët e Rajonit Lindor të Nju Jorkut kanë bërë me dije se personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal janë: Dilber Kukiç, Ekram Sejdija, Xhevat Gocaj, Agim Rugova dhe Alban Veliu. Sipas prokurorëve federalë, Albert Veliu ndërmjetësoi shitjen e një rakete antitank dhe të 15 armëve automatike Kallashnikov në Kosovë, që përfunduan në duart e agjentëve federalë amerikanë. Hetimet filluan kur një informator u tha agjentëve se një person me emrin Christopher Curanoviç po i bënte presion Veliut që t’i kthente një borxh prej 40 mijë dollarësh. Veliu, Curanoviç dhe një bashkëpunëtor i mafias italo-amerikane me emrin Noterile krijuan një skemë pastrimi parash përmes faturave të sajuara që do të mundësonte pagimin e borxhit. Por gjatë hetimeve kanë dalë në dritë edhe afera të tjera. Veliu i tha informatorit të agjentëve federalë se vjehrri i tij është një prej drejtuesve të një grupi të krimit të organizuar shqiptar në Çeki dhe se ai mund të transportonte sasi të mëdha parash përmes këtij vendi ose vendeve të tjera të Evropës Lindore, që më pas hynin si para të pastra në Amerikë. Po ashtu Veliu i premtonte informatorit se mund ta vinte në kontakt me një burim furnizimi marihuane dhe se ishte kushëri i Alex Rudaj, një figurë e njohur e krimit të organizuar shqiptar në Nju Jork, aktulaisht i dënuar me 27 vjet burg. Sipas zyrtarëve, nga tetori i vitit të kaluar, grupi ka arritur të pastrojë rreth 800 mijë dollarë që kishin rezultuar nga shitja e drogës. Veç kësaj, Albert Veliu informoi një burim konfidencial të DEA-s se ai kishte qasje tek armët e zjarrit në Kosovë. Ai shfrytëzoi lidhjet e tij për të ndërmjetësuar shitjen e më shumë se 10 Kallashnikovëve dhe një arme antitank M-80 “Zolja”, e pajisur me një raketë 64 milimetërshe. Autoritetet amerikane në këtë operacion patën bashkëpunimin e policisë së Kosovës. Zëdhënësi Daut Hoxha tha për “Zërin e Amerikës” se gjatë aksionit në Kosovë u arrestuan katër persona të lidhur me grupin. Ndërsa Ministria e Jashtme e Kosovës bëri të ditur se Albert Veliut i është ndërprerë marrëdhënia e punës me konsullatën në Nju Jork.

Artikulli paraprakPOLICIA KAP KATËR TË RINJ NË RRUGËN E KOMBIT ME 47 KG KANABIS
Artikulli tjetërSHEMBET GARDHI, BANORËT KUNDËR PALLATEVE NË LULISHTE