Një 60-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në Rimini pasi akuzohet se ka sulmuar bashkëshorten e tij duke e kërcënuar atë me çekiç.

Mediat italiane shkruajnë se ngjarja ka ndodhur në sy të tre fëmijëve, të cilët i luteshin që të ndalonte. Shqiptari u arrestua mbrëmjen e të martës, ndërsa njoftimi në polici u bë nga vajza dhe nëna. Policia thotë se kjo nuk është hera e parë që shqiptari bënte sjellje dhune në shtëpi. Pavarësisht nga prania e agjentëve të policisë ai kërcënonte familjen nëse ata kishin dhënë informacion në polici. 60-vjeçari u arrestua për veprën penale të dhunës në familje dhe u dërgua në burgun e Riminit.