Departamenti Italian i Mbrojtjes civile informon sot është mbi 22 mijë numri i personave të asistuar nga tërmeti që goditi Italinë Qëndrore në katër rajonet; Marche, Umbria, Lazio e Abruzzo.

Shumica e tyre, rreth 17.400, janë vetëm në territorin e rajonit të Marche-s. Ndërkohë sipas të dhënave të mbledhura nga kryetarët e Komunave të qytezave në këto zona, janë rreth 200 mijë banesa të dëmtuara e që kanë nevojë për t’u rindërtuar apo sistemuar në kushte sigurie jete. Rreth 100 është numri i Komunave të përfshira në kraterin e lëkundjes së fortë sizmike, me dëme të pallogaritshme në ndërtesa e rrugë. Gjithashtu janë mbi 11 mijë sipërmarrje që veprojnë në këtë territor e që aktualisht kanë ndërprerë aktivitetin e tyre. Të pallogaritshme janë dëmet e pasurisë artistike e kulturore të këtij territori, ku mjaft kisha, katedrale, kulla, bazilika, site arkeologjike me histori shekullore janë shndërruar në gërmadha e pluhur.

Këto qyteza të vogla të prekura nga kjo tragjedi natyrore përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë mesjetare italiane e shkatërrimi i tyre është një humbje e madhe e pasurisë historike italiane. Ndërkohë toka vazhdon të dridhet, duke regjistruar gjatë natës dhjetra lëkundje të tjera sizmik me e forta në shkallën 3.5 ballë. Presidenti i Republikës Italiane që gjatë tërmetit të 30 tetorit gjendej në një vizitë pune në Izrael, ka ndërprerë axhendën e tij dhe është kthyer në Romë.

Zyra e shtypit të Presidencës informon se Presidenti Mattarella gjatë pasdites do të vizitojë komunën e Norcias e Camerinos, e do të takohet me banorët e zonave të tërmetit.