Gjashtë persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e hotelit “Rigopiano” në Itali, pas goditjes nga orteku i dëborës.

Të paktën katër persona janë konfirmuar të vdekur, trupat e të cilëve janë nxjerrë nga rrënojat e hotelit, i cili u godit dy ditë më parë nga një ortek dëbore. Hoteli ndodhet në provincën e Pescaras. Ekipet e kërkim shpëtimit kanë vijuar punën gjatë gjithë natës, në temperatura shumë të ulëta e kushte jo të favorshme. Deri tani janë rikuperuar katër trupa të pajetë, kurse shpresa për të gjetur të mbijetuar po zbehet me kalimin e orëve. Matteo Gasparini, përgjegjës i operacioneve deklaron se në këtë situatë nuk ndihmojnë as qentë, të cilët nuhasin dicka por për të arritur në destinacion duhet punuar për 5 orë, si pasojë e borës dhe masës së madhe shkatërruese të hotelit.

Zëvendës ministri i Brendshëm italian Filippo Bubbico deklaroi se pavarësisht situatës së vështirë, kemi shpresë që mund të gjejmë dikë në jetë. Mediat italiane kanë publikuar video dhe telefonata të personave që ndodheshin në hotel menjëherë pas ngjarjes. Ata kërkojnë ndihmë, duke iu kërkuar ekipeve të emergjencës të ndërhyjnë shpejt, por në minutat e para duket se askush nuk e ka besuar se situata ishte vërtetë shumw kritike. Stuhia goditi hotelin të mërkurën pasdite vonë, me 18 janar, vetëm disa orë pas katër tërmeteve që goditën Italinë qendrore, të gjithë me magnitudë mbi 5 ballë. Zyrtarët zjarrfikës dhe autoritetet lokale thanë se më shumë se 30 persona, përfshirë katër fëmijë, kanë qenë në ndërtesë ne momentin e goditjes nga orteku. Qeveria italiane pritet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa një gjykatë në Pescara ka hapur hetimet me argumentin se reagimi emergjent ishte i ngadaltë.