MES TYRE 2 SHQIPTARË, NDESHJET E TRUKUARA JANË TË KATEGORIVE LEGA PRO DHE SERIA D. Dy shqiptarë të përfshirë në trukimet e ndeshjeve në Itali janë mes 50 të arrestuarve për një tjetër skandal në futbollin italian.  Edmond Nerjaku lindur më 20 maj 1973, biznesmen, si dhe Erikson Aruçi lindur më 3 maj 1990 futbollist janë në mesin e 50 të arrestuarve. 

Nga hetimet e policisë rezulton se ndeshjet e trukuara janë të kategorive Lega Pro dhe Seria D. Policia e vendit fqinj ka ndërmarrë një aksion të gjerë këtë të martë, për të zbatuar një seri urdhër-arrestesh të lëshuar nga prokurorët e Antimafias në Katanzaro të Kalabrisë.  Janë 50 persona të arrestuar, mes të cilëve presidentë dhe drejtues klubesh, lojtarë e të tjerë, ndërkohë që 80 janë personat e përfshirë në hetimin e Antimafias që ka në bazë një familje mafioze kalabreze.  Të gjithë të arrestuarit e jo vetëm akuzohen për mashtrim sportiv të kryer në bashkëpunim. Operacioni ka përfshirë kontrolle e ndalime në 10 rajone, si: Lombardi, Veneto, Toskanë, Liguria, Emilia Romanja, Marke, Abruco, Kampania, Pulia dhe Kalabri.  Mediat e vendit fqinj shtojnë më tej se, në pranga kanë rënë edhe një agjent policie dhe një eksponent i spikatur i mafias lokale, Ndrangeta, ndërkohë që kontrollet e autoriteteve janë shtrirë edhe në selitë e kompanive të futbollit.

Artikulli paraprakSULMOHET ZYRA E PARTISË DEMOKRATIKE NË SHKODËR
Artikulli tjetërAKADEMIA, HIDHET SHORTI PËR FAZËN PLAY-OFF