
Kreu i Antimafies italiane jep alarmin: Po na pushton droga shqiptare, më mirë ta legalizojmë
Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franko Roberti është shprehur sot ndaj situatës së trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Ai ka propozuar legalizimin e dograve të lehta si një lëvizje për të luftuar grupet kriminale të trafikut. I ftuar në kongresin vjetor të Organizatës Kombëtare të gjyqtarëve italianë, Franko Roberti tha se “drogat e lehta kanë pushtuar vendin duke shkaktuar viktima siç ndodhi në San Marco in Lamis, në provincën e Foxhias, e rrjedhë e trafikut të drogave të lehta nga Shqipëria.” “Për këtë, tha ai, i kemi kërkuar qeverisë e parlamentit italian një zgjidhje të pashmangshme; Ose të bashkojmë të gjitha forcat për të luftuar trafikun e drogave të lehta, ose t’i japim shtetit monopolin e prodhimit e shitjes së drogave të lehta, duke njohur mungesën e vlerës morale të përdoruesit të saj. Objektivi i shtetit të së dejtës është të luftojë fuqitë kriminale e jo të bashkëjetoj me ta.” Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias ka shpjeguar se “impenjimi i forcave të rendit ka reduktuar trafikun e sasisë së drogave të rënda në vend, ndërsa trafiku i drogave të lehta është shtuar në mënyrë të dukshme me gjithë impenjimin e të gjithëve.” “Legalizimi i drogave të lehta do të ishte një goditje e rëndë e klaneve kriminale, tha ai. “Shteti duhet të prodhojë e shesë droga të lehta të cilësisë më të mirë e me çmime më konkurruese se ato të trafikuara nga klanet kriminale.”






