Kandidatja e Partisë Demokratike për qarkun e Shkodrës Izmira Ulqinaku zhvilloi takimin e parë elektoral me banorët e Postribës.

Qindra pjesëmarrës mirëpritën prezantimin e kandidates, e cila ftoi banorët të japin kontributin e tyre në shërbim të Partisë Demokratike për një qeverisje më të mirë bazuar në zhvillimin ekonomik. Koordinatori i fushatës elektorale në rang qarku Ramiz Çobaj, pasi u bëri thirrje banorëve të Postribës që të mos votojnë partitë e vogla, shprehu bindjen se PD do të ketë 7 deputetë nga Shkodra në Parlamentin Shqiptar.

Çobaj e quajti të pahijshëm faktin që sipas tij, shumë subjekte politike për të rritur numrin e votave, shtrojnë iftare gjatë muajit të Ramazanit. I Pranishëm në këtë takim prezantues ishte edhe numri 13 i kandidatëve për deputet Denis Fani, i cili së bashku me kandidaten Ulqinaku do të jenë përfaqësues të Njësisë Administrative Postribë, njësisë Ana e Malit dhe Rajonit nr. 1 në qytetin e Shkodrës.