Izolimi nga bora, helikopterët e FA vijojnë shpërndarjen e ndihmave

Strukturat e Forcave të Armatosura kanë vijuar pa ndërprerje angazhimin në përballimin e situatës së krijuar në veri të vendit për shkak të reshjeve të dëborës. Forca Ajrore në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, kanë vijuar shpërndarjen e ndihmave të mundësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit. Gjatë ditës së premte pilotët e Forcës Ajrore kryen disa fluturime për transportimin e ndihmave në fshatrat ende të izoluar nga bora. Helikopteri i parë fluturoi në fshatin Theth, Njësia Administrative Shalë, Bashkia Shkodër. Helikopteri i dytë në fillim fluturoi në fshatin Ketë, Njësia Administrative Xibër, Bashkia Klos dhe më pas në fshatin Lam i Madh, Njësia Adminstrative Derjan, Bashkia Mat. Helikopteri i tretë fluturoi në fshatin Kalis, Njësia Administrative Kalis, Bashkia Kukës. Në secilin fshat u shpërndanë nga 50 pako me ushqime me nga 20 kg secila. Strukturat e Forcës Ajrore dhe ato të Komandës Mbështetës vijojnë punën në terren, si dhe mbeten në gatishmëri për t’iu përgjigj çdolloj kërkese të Drejtorisë së Emergjencave Civile dhe pushteti lokal.