Deputeti i Partisë Socialiste në qarkun Shkodër Benet Beci me anë të një postimi në rrjetin e tij Facebook tregon se çfare do të përfitojë Shkodra nga program i qeverisë Rama 3

Të nderuar miq,
Sot në mëngjes u miratua programi dhe përbërja e qeverisë Rama në mandatin e tretë të Partisë Socialiste. Një rrugëtim të mbarë për të gjithë kolegët e qeverisë, i bindur që do të bëjnë më të mirën.
Unë votova pro këtij programi, jo vetëm si përfaqësues politik i Partisë Socialiste, por edhe sepse mendoj që programi i Qeverisë në këtë mandat të tretë është shumë serioz dhe ambicioz.
Programi i mandatit të tretë, përtej të qenit vetëm reagim ndaj goditjeve të rënda që kaluam, si tërmeti dhe pandemia, është shumë më tepër ambicioz; vë në shina të qëndrueshme ekonominë e vendit e për më tepër synon të vrapojë për të kapur ritme të konsiderueshme të rritjes ekonomike të vendit.
Ndërsa me programin e përgjithshëm të Qeverisë mendoj se keni pasur mundësi të njiheni nga publikimi gjerësisht në media, dëshiroj të vë në dukje disa programe konkrete që kanë lidhje me Qarkun tonë:
Në infrastrukturën kombëtare:
– Ky do të jetë mandati ku do të fillojë të investohet në Korridorin Blu që do të përshkojë gjithë Shqipërinë nga Muriqani në kufirin me Malin e zi deri në Vlorë e në Kakavijë me kufirin me Greqinë. Korridori blu do të zhbllokojë komunikimin normal të Shqipërisë me Evropën nëpërmjet Malit të zi e Kroacisë duke zgjidhur në të njëjtën kohë edhe çështjet e trafikut të rënduar mes Shqipërisë së Veriut, Shkodrës dhe Tiranës, Durrësit e Aeroportit.
– Segmenti hekurudhor Vorë-Han i Hotit, tashmë me projekt të përfunduar, do të fillojë të zbatohet, duke krijuar një alternativë për pasagjerët dhe mallrat ndaj transportit rrugor drejt Veriut të Shqipërisë e drejt Malit të Zi.
– Për t’u vlerësuar investimi në punë e sipër nga Fondi i Zhvillimit mes Shëngjinit e Velipojës dhe së shpejti, nëpërmjet komunikimit përmes një ure të re në lumin Buna edhe me Ulqinin; (një falënderim i veçantë për Kryeministrin Rama për marrjen në mënyrë të drejtpërdrejtë me qeverinë malazeze për ta koordinuar këtë proces). Ky investim krijon hapësirën për shfrytëzimin e plazhit më të gjerë ranor në bregun lindor të Adriatikut mes Shëngjinit, Velipojës dhe Ulqinit, i cili do të sjellë një zhvillim akoma më të vrullshëm për të gjithë rajonin.
Në fushën e energjisë:
Fillimi i punës në Hidrocentralin e Skavicës shton konsiderueshëm prodhimin e pastër të energjisë vendase, optimizon aftësitë prodhuese të Hidrocentraleve të tjera të kaskadës, krijon mundësinë e integrimit në sistem të burimeve të tjera të rinovueshme. Nga ana tjetër ndërtimi i tij ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përmbytjeve në zonën e NënShkodrës dhe krijon mundësinë për ta eliminuar përfundimisht këtë kërcënim serioz e të vazhdueshëm në zonë.
Rilindja Urbane:
Vijimësia e programit të rilindjes urbane do të na lejojë të përfundojmë projekte të rëndësishme edhe në Qarkun e Shkodrës;
-Suksesin e projektit të Shirokës në bregun e liqenit të Shkodrës, (i cili në mënyrë të vazhdueshme është nominuar për çmime ndërkombëtare), ta shtrijmë në të gjithë bregun e Liqenit të Shkodrës pranë qytetit si fillim, ndërkohë që po përgatiten studimet dhe projekti për të hedhur hapin tjetër të zhvillimit të bregut të liqenit në të gjithë vijën e liqenit në Malësinë e Madhe;
– Projektin e një hyrjeje dinjitoze të qytetit të Shkodrës dhe integrimin e parkut pranë urës së Bunës, bypassit, kalasë e bregut të liqenit në një koncept unik e të vecantë për vendin;
– Lidhja me Malin e Zi nëpërmjet rrugës Shirokë-Zogaj- Krajë si me rrugë ashtu edhe me lundrim nëpërmjet rrjetit të moleve në liqenin e Shkodrës.
Angazhimi i Qeverisë për ta shtrirë edhe në hapësirën rurale projektin e rilindjes urbane do të na lejojë:
o Të krijojmë një produkt të ri turistik përgjatë liqenit të Vaut të Dejës e Komanit nëpërmjet një infrastrukturë të re rrugore e portuale, studimet e projektet për të cilat tashmë janë gati;
o Ta shtrijmë suksesin e rilindjes urbane në qytetin e Pukës edhe në zonat malore në Pukë e Fushë Arrëz;
o Pas lidhjes edhe të Thethit me rrugë të asfaltuar ta konsolidojmë zhvillimin rural brenda fshatrave të Alpeve duke forcuar turizmin , bujqësinë e zhvillimin rural në Kelmend, Dukagjin, Malësi të Madhe e në të gjithë fshatrat e Alpeve.
Dëshiroj të rishpreh angazhimin tim për të përfaqësuar gjatë gjithë kësaj legjislature me dinjitet interesat e të gjithë zgjedhësve të Qarkut Shkodër.