Pas rritjes së pagave për policët, qeveria ka dhënë detaje edhe për kategoritë e tjera nëpërmjet ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratës Publike, Milena Harito.

Më konkretisht, bëhet fjalë për rritje pagash për mjekët, infermierët, punonjësit e administratës dhe ata të arsimit. Në total rritja e pagës do të jetë 10% për thuajse 8 mijë punonjës të arsimit që varen nga bashkitë. Kjo rritje, sipas Haritos, do të kapë edhe punonjës të administratës publike dhe do t’i kushtojë qeverisë 7.5 miliardë lekë. Rritja e pagave do të jetë 10% edhe për 8 mijë punonjës mësimorë që varen nga buxhetet e 61 bashkive të vendit. Ministrja Harito sqaroi dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, por edhe për median, se kjo rritje page do të ketë 110 mijë përfitues të administratës publike. Fondi i vënë në dispozicion është rreth 7.5 miliardë lekë. “Kemi 110 mijë përfitues, nga të cilët, 81 mijë janë punonjës buxhetorë dhe 29 mijë të tjerë janë mjekë, infermierë, punonjës arsimorë të universiteteve publike. Nuk përjashtohet askush nga rritja e pagave, pavarësisht nga vjetërsia në punë”, sqaroi Harito.