SERBIA FAJTORE PËR RACIZMIN, KUQEZINJTË PA FAJ PËR LËNIEN E LOJËS . Star Plus sjellë argumentin që ka dhënë CAS për vendimin e marrë së fundmi ku i ka dhënë fitoren në tavolinë Shqipërisë në takimin që u zhvillua në Beograd ndaj Serbisë me 14 Tetor të vitit 2014. Në vendimin e CAS thuhet: Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Serbe e Futbolli paraqitën ankesat e tyre në CAS kundër vendimeve të lëshuara nga organi i Apelit në UEFA, në të cilin të dyja federatat u dënuan për incidentet që ndodhën gjatë ndeshjes.

Çështja u shqyrtua në seancat dëgjimore në Lozan të Zvicrës më 16 dhe 17 prill 2015. Palët, mbrojtësit e tyre ligjor, ekspertët dhe dëshmitarët u dëgjuan nga paneli i arbitrave të CAS.   CAS ka mbështetur pjesërisht apelin e sjellë nga Federata Shqiptare e Futbollit kundër vendimit të UEFA-s të marrë më 2 dhjetor 2014, në të cilin konfirmohet vendimi i marrë nga UEFA më 23 tetor 2014.  Në përputhje me vendimin e UEFA-s dhënia e vendimit për humbjen e Shqipërisë është bazuar mbi refuzimin e supozuar të skuadrës shqiptare, për të rifilluar ndeshjen pasi ajo u ndalua nga arbitri në minutën e 41-të, kur fishekzjarrët u hodhën në fushë nga tifozët serbë. Gjatë ndalimit të ndeshjes kanë ndodhur disa incidente në mënyrë të veçantë nga 15 tifozë serbë të cilët pushtuan fushën dhe sulmuan lojtarët shqiptarë.  Megjithatë paneli i CAS nuk mundi të gjejë prova që lojtarët shqiptarë të kenë refuzuar të rikthehen në fushë, pasui nuk ka pasur një urdhër të arbitrit për tu rikthyer në fushë. Paneli i CAS nuk mundi të siguronte se arbitri i lëshoi një urdhër të qartë lojtarëve për të rifilluar lojën në bazë të vendimit se siguria ishte vendosur.   Paneli konstatoi se ndërprerja e ndeshjes dhe braktisja e lojës u shkaktua nga mangësitë e organizatorëve në sigurinë e ndeshjes, si dhe aktet e dhunës të ushtruara ndaj lojtarëve shqiptarë nga ana e tifozëve serbë dhe të paktën nga një prej punonjësve të sigurisë. Kështu, paneli konsideron se Federata Serbe e Futbollit dhe jo Federata Shqiptare, është përgjegjëse që ndeshja nuk u luajt e plotë edhe me pjesën e dytë, në shkelje të nenit 27.01 të Rregullores të UEFA-s të kampionatit Europian të Futbollit 2014-2016. Në dritën e këtij konstatimi, Paneli i CAS vendosi që ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë e grupit I për kualifikimin në Kampionatin Europian të përfundojë me rezultatin 0:3.   Në të njëjtën linjë me vendimin e UEFA, edhe CAS doli në përfundim se Federata Shqiptare e Futbolli është përgjegjësi për dronin me flamurin me simbole nacionaliste dhe patriotike shqiptare, dhe la në fuqi gjobën prej 100 mijë euro për FSHF-në.   CAS ka hedhur poshtë ankimimin e Serbisë për vendimin që u mor nga Apeli i UEFA-s në 2 dhjetor 2014. CAS la në fuqi sanksionet e vënë ndaj Serbisë më 23 tetor 2014: Federatës Serbe të Futbollit i hiqen 3 pikë për kualifikimet në kampionatin evropian: Federata Serbe duhet të luajë dy ndeshjet e ardhshme pa tifozë; dhe gjobitet 100 mijë euro.