Pas “dushit të ftohtë” që kryeministri Edi Rama i bëri Policisë së Shtetit një ditë më parë, kryepolici Ardi Veliu ka thirrur në mbledhje zv.drejtorët dhe shefat e komisariateve. Nga sa mësohet në këtë mbledhje, Veliu i përsëriti detyrat e lëna dje nga kreu i qeverisë.

Një ditë më parë, kreu i qeverisë me një gjuhë të ashpër, duke sjellë rastin e sulmit me armë në bar ‘Orange’, tha se ka pronarë lokalesh që tërheqin prej hunde shefa komisariatesh duke kërkuar që të shkarkohet zinxhiri komandues në Sarandë.

Nisur nga ngjarjet e fundit kriminale të ndodhur në vend, më e fundit ajo masakra me 4 të vrarë në Velipojë, apo aksidentet rrugore, Rama i dha 100 ditë kohë Policisë së Shtetit për të rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal. Ato që nuk janë në lartësinë e uniformës, duhet të zhduken dhe të nxirren para drejtësisë, përfundoi kreu i qeverisë.