Si pjesë e Javës Ndërkombëtare të Arsimit, Zv. Shefja e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun Lucija Straley udhëtoi në Shkodër për t’u takuar me nxënësit e shkollave të mesme “Hasan Riza Pasha” dhe “28 Nëntori,” si dhe me studentët e universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Ajo foli për vlerat e arsimit ndërkombëtar dhe nënvizoi bursat që Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ofron për studentët shqiptarë. Ajo dha informacion për Institutin Veror Transatlantik Benjamin Franklin, i cili i ofron studentëve europianë dhe amerikanë mundësinë për t’u përfshirë në diskutime për çështje globale, zhvillimin e aftësive udhëheqëse dhe angazhimin në shërbim komunitar.

Ajo bisedoi edhe për programin Global UGRAD, i cili jep bursa për një semestër për studentë të shkëlqyer të nivelit universitar nga mbarë bota, për studime me kohë të plotë pa diploma, të kombinuara me shërbim komunitar, zhvillim professional dhe pasurim kulturor.