Ndërkohë që investimet e huaja direkte në Shqipëri këtë vit po shënojnë vlera rekord, një tendencë të ngjashme shfaqin edhe investimet shqiptare jashtë vendit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin 2022, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit arriti në 60 milionë euro, tre herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është njëkohësisht edhe niveli më i lartë qysh prej vitit 2011. Në pjesën dërrmuese, investimet shqiptare janë kanalizuar në kontribute direkte në kapitalin e shoqërive të kontrolluara jashtë vendit, ndërsa një pjesë më e vogël ka shkuar në formën e huave të dhëna për kompanitë bija.

Investimet direkte dalëse sidoqoftë kanë ende një peshë të ulët në raport me investimet e huaja direkte në Shqipëri, me rreth 9.5% të tyre për 6-mujorin 2020. Bilanci neto i investimeve të huaja direkte ishte negative, për një vlerë të përgjithshme prej 574 milionë eurosh, në rritje me 27.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat statistikore nga burimet zyrtare shqiptare për investimet e sipërmarrjes tonë jashtë vendit janë të pakta dhe të kufizuara kryesisht në shifrat e bilancit të pagesave.

Aktualisht, nuk ekzistojnë të dhëna gjithëpërfshirëse për stokun total të investimeve shqiptare jashtë vendit dhe për shpërndarjen e tyre gjeografike apo sektoriale.

Megjithatë, të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës japin një informacion për investimet shqiptare në Kosovë, që vlerësohet se është shteti me përqendrimin më të madh të investimeve shqiptare. Pas pavarësimit të Kosovës nga Serbia, shumë prej bizneseve të konsoliduara shqiptare tentuan zgjerimin gradual, për të shfrytëzuar potencialet që ofronte tregu kosovar.

Shifrat e BQK-së tregojnë se deri në fund të marsit 2022, stoku i investimeve shqiptare në Kosovë kishte vlerën e 282 milionë eurove. Me këtë shifër, Shqipëria është investitori i pestë më i madh në Kosovë. Ndërkohë, flukset e reja të investimeve shqiptare në Kosovë për 6-mujorin e parë të këtij viti kishin vlerën e 30.4 milionë eurove, në rritje me pothuajse 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Prania e ndërmarrjeve shqiptare në Kosovë është e përqendruar kryesisht në sektorin tregtar dhe atë financiar. Në Kosovë veprojnë disa prej operatorëve më të mëdhenj shqiptarë të distribucionit të mallrave të konsumit, kompani të shitjes me pakicë, si edhe banka, kompani sigurimesh dhe operatorë të shërbimeve të pagesave.

Përveç Kosovës, të dhënat për praninë e sipërmarrjes shqiptare jashtë vendit janë të pakta dhe të fragmentuara. Disa prej grupeve të mëdha të biznesit në vend, si Balfin apo Union Grup/UFT kanë prani të tyre edhe në Austri, Zvicër, Kroaci apo Maqedoninë e Veriut, me aktivitet kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në shërbimet financiare.