
Katër ditët e festivalit teatror për të rinj u përmbyllën në Teatrin “Migjeni” me vlerësimet e jurisë për më të mirët e edicionit të gjashtë. Gjimnazi “Jordan Misja” u rikonfirmua edhe këtë vit si fitues i festivalit teksa shfaqja “Emigrantët” me regji nga Simon Shkreli u vlerësua si shfaqja më e mirë.
Aktorët më të mirë u vlerësuan Arbër Vata i gjimnazit “Jordan Misja” dhe Ajsi Beqiri i gjimnazit “28 Nëntori”.
Për rolet joprotagoniste u vlerësuan Iderisa Duhanxhi, Amar Fishta dhe Orgen Osja.
Pjesë e jurisë së festivalit, aktorja e mirënjohur shkodrane, Mirjam Bruçeti vlerëson paraqitjen e të rinjve në skenë.
Më herët, në skenë u ngjitën edhe të rinjtë e shkollës artistike “Prenkë Jakova” me një interpretim të komedisë nga Dario Fo, “Jo të gjithë hajdutët vijnë për keq” nën regjinë e Aleksandër Prengës.
Festivali i organizuar ishte një bashkëpunim mes Bashkisë Shkodër, ZVA Shkodër dhe Teatrit “Migjeni”. Aktiviteti shërbeu si një platformë e rëndësishme për zbulimin dhe mbështetjen e talenteve të reja skenike.