Skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri fitoi 2-1 në ndeshjen ndaj Sampdorias në “Ferraris”, e cila mbylli fazën e parë të Serie A.

Juventus kap Inter në vendin e dytë të renditjes, me dy pikë më pak se Napoli, që u shpall “kampion i dimrit”, pas fitores 5-1 në Frosinone. Juventus e gjeti golin e avantazh në mesin e pjesës së parë me anë të Paul Pogba. Francezi me numrin 10 bëri një gjest të shkëlqyer teknik teksa e ndaloi topin me gjoks në qendër të zonës së Sampdorias dhe pastaj e çoi atje ku portieri vendas Viviano nuk mund ta arrinte. Goli i dytë i Juventus erdhi sapo nisi pjesa e dytë kur Sami Khedira u gjend i vetëm në zonën e Sampdoria dhe mposhti Viviano pas një pasimi të shkëlqyer të marrë nga Dybala. Ky ishte goli që i dha garanci bardhezinjëve për pjesën e mbetur të ndeshjes. Sampdoria ngushtoi diferencën me anë të Antonio Cassano, 20 minuta para fundit, por nuk arriti t’i prishë festën Juventus. Samp, që mbetet në vendin e 13-të, e mbylli ndeshjen me dhjetë futbollistë pasi në minutën e fundit, Moisander u ndëshkua me karton të kuq për një faull ndaj Simone Zaza.