
Teksa disa bashki në vend kanë nisur zbatimin e planeve për heqjen e kabllove të internetit dhe telefonisë nga shtyllat elektrike të pozicionuara në rrugët e qyteteve, një gjë e tillë nuk po ndodh në Shkodër.
Për të parë situatën kaotike të krijuar në qytet mjafton të shikojmë disa prej rrugëve kryesore. Përtej rrezikut që mund të krijojë tejmbushja me kabllo, pamja që ofrohet nuk duket aspak normale. Edhe pse Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka paralajmëruar se nga muaji shkurt i këtij viti do të ketë një aksion të gjerë për lirimin e qytetit nga kabllot, një gjë e tillë u harrua brenda një periudhe të shkurtër.
Shkresa nga AKEP u është dërguar institucioneve dhe operatorëve përgjegjës, por asnjë nuk ka marrë masat e nevojshme. Në raste defektesh të rrjetit elektrik, kabllot e tjera të telefonisë dhe internetit, që janë të shumta në qytet, vështirësojnë ndërhyrjet e punonjësve.






