
Kabllot e varura në lagjen Zdrale në Shkodër janë kthyer në një shqetësim serioz për banorët e zonës. Qytetarët shprehen se ndihen të rrezikuar nga gjendja aktuale e kabllove, jo vetëm të energjisë elektrike, por edhe të linjave të internetit, të cilat në shumë raste janë të grumbulluara dhe të amortizuara. Shqetësimi është shtuar edhe më shumë pasi një ditë më parë në këtë zonë një kabllo ka marrë flakë, duke krijuar panik te banorët.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse, të cilat, sipas tyre, duhet të marrin masa për sistemimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit kabllor, për të shmangur rreziqe të mundshme për jetën dhe pronën.
Sipas banorëve, kjo situatë përbën rrezik të vazhdueshëm për sigurinë e tyre. Raste të ngjashme të kabllove që marrin flakë nuk kanë munguar edhe në zona të tjera të qytetit, çka e bën problematikën edhe më alarmante. Ndërkohë pritet një reagim nga institucionet përgjegjëse lidhur me këtë problematikë.






