Veprimtaria e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Lezhë u bë objekt diskutimesh dhe debatesh mes mazhorancës dhe opozitës në Këshillin Bashkiak të Lezhës. Në mbledhjen ku ishte thirrur për të raportuar kreu i Kadastrës, Altin Gjergji, me kërkesë të këshilltares Alfrida Marku, përfaqësuesit e opozitës u shprehën se qytetarët po përballen me pritje të gjata, mungesë shërbimi dhe zgjidhjesh konkrete për problematikat që ata kanë.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, kërkoi që çdo pretendim për abuzime të referohet në organet e drejtësisë, ndërsa drejtori i Kadastrës, Altin Gjergji, u shpreh se 30 mijë shërbime janë realizuar në harkun kohor të një viti, duke e renditur këtë drejtori me performancën më të mirë në rang vendi.
Prej më shumë se një viti, Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Lezhë i shërben të gjithë qarkut, duke përfshirë edhe Mirditën dhe Kurbinin, ku problematikat me çështjet e pronësisë janë të shumta dhe personeli për të përballuar fluksin e kërkesave nuk është i plotë.

Artikulli paraprakUDHA E KRYQIT, PERAGINE NDAN MESAZH PËR FAMILJEN
Artikulli tjetër“OSO KUKA” FITON PROJEKTIN “SUPER SCHOOLS”